
Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhit dhe tre të pandehurve të tjerë, në lidhje me aferën CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA.
Vendimi vjen pas rreth 7 muajsh seancë paraprake, ku gjyqtarja Irena Gjoka rrëzoi kërkesat për pavlefshmëri të provave dhe hapi rrugën për nisjen e procesit në themel.
SPAK akuzon Metën dhe Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa në dosje përfshihen edhe Pirro Xhixho, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku. Tre prej tyre kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa Meta dhe Kryemadhi procedurë të zakonshme.
Pas vendimit, reagimet ishin të ashpra. Meta e cilësoi procesin si “drejtësi me regji”, duke pretenduar se gjykata ka pranuar mangësi në hetime, por gjithsesi ka vendosur vijimin e çështjes.
Edhe Kryemadhi foli për një vendim “nën presion”, duke deklaruar se një pjesë e madhe e akuzave nuk mbështeten në prova dhe se procesi ka karakter politik.
Dosja përfshin tre linja hetimi: çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara dhe hetimin pasuror ndaj ish-çiftit.
Ndërkohë, procesi gjyqësor pritet të nisë pasi të caktohet trupi gjykues.



