
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, së bashku me 10 të pandehur të tjerë, për aferën e inceneratorëve.
Mes të pandehurve janë edhe biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, si dhe emra të tjerë të përfshirë në skemën e dyshuar.
Sipas SPAK, Ahmetaj akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, ndërsa hetimet kanë zbuluar përfitime të konsiderueshme financiare dhe pasurore.
Prokuroria thotë se ish-zyrtari ka përfituar nga Mërtiri dhe Zoto përmes pagesave dhe transaksioneve fiktive, përfshirë:
- mbi 2 milionë lekë për investime në një apartament të kthyer në AirBnb
- rreth 170 mijë euro dhe 270 mijë euro përmes shitjeve fiktive
- një vilë në Hamallaj me vlerë rreth 230 mijë euro
- pagesa për udhëtime dhe shpenzime të tjera ndër vite
Po ashtu, SPAK thekson se Ahmetaj ka kryer deklarime të rreme dhe ka fshehur pasuri në disa raste, përfshirë prona në Hamallaj dhe në Green Coast në Palasë, si dhe shuma të konsiderueshme parash.
Ndaj tij rëndojnë edhe akuza për pastrim parash në disa episode, të lidhura me investime dhe transaksione të dyshuara si fiktive.
Në këtë çështje, bashkëshortja e tij e atëhershme Albina Mançka dhe persona të tjerë akuzohen për fshehje pasurie dhe pastrim parash, ndërsa biznesmenët Mërtiri dhe Zoto për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
SPAK ka referuar çështjen në Gjykatën e Posaçme, ku pritet të nisë procesi gjyqësor për një nga dosjet më të bujshme të korrupsionit në vend.



