Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me furnizuesit e naftës, në një moment kur çmimet e hidrokarbureve janë rritur si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se në Shqipëri rritja e çmimit ka qenë e moderuar, por paralajmëroi se situata mbetet e paqartë për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare.

“Çmimi është rritur në mënyrë të moderuar. Sfida është e hapur, askush nuk di se si do të shkojë çmimi në bursë apo sa do të zgjasë kjo situatë,” u shpreh ai.

Kryeministri bëri të ditur se vendi ka rezerva të garantuara për rreth 100 ditë, por theksoi se situata do të monitorohet në vijimësi.

Rama u ndal edhe te mundësia e rikthimit të Bordit të Transparencës, duke theksuar se qeveria nuk e sheh të arsyeshme një ndërhyrje të tillë në këtë fazë.

“Nuk e kemi parë të arsyeshme rikthimin e Bordit, për sa kohë dialogu funksionon. Qëllimi nuk është t’ju shtrëngojmë, por që kriza në Lindjen e Mesme të mos projektohet e gjitha mbi qytetarët,” deklaroi ai.

Sipas Ramës, furnizuesit duhet të pranojnë marzhe më të ulëta fitimi në këtë periudhë, në mënyrë që barra të mos rëndojë mbi konsumatorët.

“Më mirë marzhe më të ulëta sesa Bordi në kurriz,” theksoi kryeministri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu