
Konflikti mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ka hyrë në ditën e 16-të, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen me sulme të reja, kërcënime të drejtpërdrejta dhe përfshirje të vendeve të tjera të rajonit.
Gardat Revolucionare iraniane (Pasdaran) kanë kërcënuar hapur kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke deklaruar se do ta “gjuajnë dhe do ta vrasin” nëse ai është ende gjallë.
Në një deklaratë të publikuar nga mediat iraniane, Pasdaranët thanë se do të vazhdojnë ndjekjen e Netanyahut dhe se sulmet me raketa kanë shkaktuar dëme të mëdha në sektorët industrialë të Tel Avivit.
Sulme dhe bombardime gjatë natës
Gjatë natës janë raportuar bombardime të reja mbi Izraelin, ku sipas autoriteteve dy persona kanë mbetur të plagosur.
Ndërkohë në Teheran janë dëgjuar shpërthime të forta në zonën jugore të qytetit, ndërsa sipas mediave rajonale janë shkaktuar dëme të mëdha në një qendër kërkimore hapësinore, e rëndësishme për programet satelitore dhe inteligjencën ushtarake iraniane.
Ministria e Shëndetësisë në Izrael njoftoi se 108 persona janë transportuar në spital në 24 orët e fundit, shumica me plagë të lehta ose për shkak të panikut gjatë alarmit.
Dronë dhe sulme në Gjirin Persik
Konflikti është zgjeruar edhe në vendet e Gjirit.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti kanë raportuar interceptimin e disa dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani.
Në Abu Dhabi një dron ka goditur një instalim nafte në zonën e Ruwais, duke shkaktuar zjarr, ndërsa në Dubai sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar dronë mbi zonat Marina dhe Al Sufouh.
Në Kuvajt, pesë dronë janë rrëzuar në 24 orët e fundit, ndërsa tre ushtarë janë plagosur pas një sulmi që goditi radarët e aeroportit ndërkombëtar dhe një bazë ushtarake.
Trump: Nuk jemi gati për marrëveshje
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk është ende gati për një marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund luftës, pavarësisht sinjaleve nga Teherani për negociata.
“Termat nuk janë ende mjaftueshëm të mirë”, tha Trump në një intervistë për NBC.
Ai gjithashtu hodhi dyshime mbi fatin e Mojtaba Khamenei, udhëheqësit të ri suprem të Iranit, duke thënë se nuk është e qartë nëse ai është ende gjallë.
Hormuzi dhe kriza e naftës
Tensionet vazhdojnë edhe rreth Ngushticës së Hormuzit, rruga kryesore detare për transportin e naftës në botë.
Trump u ka bërë thirrje vendeve që përfitojnë nga ky korridor energjetik të dërgojnë anije për të mbrojtur trafikun detar, ndërsa disa vende kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në sigurinë e ngushticës.
Megjithatë Franca ka bërë të ditur se aeroplan mbajtësja e saj do të mbetet në Mesdheun lindor, duke përjashtuar për momentin një përfshirje të drejtpërdrejtë në operacionet në Gjirin Persik.
Ndërkohë lufta po përhapet në të gjithë rajonin, me përplasje në Libanin jugor mes Izraelit dhe Hezbollahut, duke rritur frikën për një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme.




