Ndeshja mes Flamurtarit dhe AF Elbasanit, e zhvilluar në stadiumin “Flamurtari” në Vlorë, është shoqëruar me tensione dhe incidente si në tribuna ashtu edhe jashtë stadiumit.

Gjatë pushimit të pjesës së parë, situata u tensionua mes tifozëve të dy ekipeve, ku pati përplasje verbale, fyerje dhe provokime që nxehën ndjeshëm atmosferën në tribunat e stadiumit.

Për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, forcat e policisë dhe efektivët e Ndërhyrjes së Shpejtë u vendosën pranë tribunave dhe ndërhynë për të mbajtur situatën nën kontroll.

Tifozët e Elbasanit u spostuan në mes të sektorit të tyre dhe u rrethuan nga forcat e sigurisë për të shmangur një përplasje fizike me tifozët vendas.

Portieri i Elbasanit përfundon në spital

Incidentet nuk munguan as në fushë. Në pjesën e dytë të takimit, portieri i AF Elbasanit u përplas me një nga lojtarët kundërshtarë dhe u detyrua të largohej nga fusha me ambulancë drejt spitalit.

Për shkak të incidentit, ndeshja u ndërpre përkohësisht deri në mbërritjen e ambulancës në stadium.

Elbasani fiton mes tensioneve

Pavarësisht tensioneve, Elbasani arriti të fitojë sfidën me rezultatin 1-2.

Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutat e para të ndeshjes, ndërsa goli i dytë erdhi në pjesën e dytë, pasi Flamurtari humbi dy penallti brenda dy minutash me Herald Markun.

Skuadra vlonjate arriti të shënojë një gol më vonë, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.

Përplasje edhe pas ndeshjes

Pas përfundimit të sfidës, tensionet vijuan edhe jashtë stadiumit, ku pati përplasje mes tifozëve dhe policisë.

Forcat e shumta të rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën dhe për të parandaluar incidente të tjera, megjithëse situata mbeti e tensionuar për një kohë.

Me këtë rezultat, Flamurtari zhytet edhe më shumë në fundin e renditjes, ndërsa Elbasani merr një fitore të rëndësishme që e mban mes skuadrave kryesuese në kampionat.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu