Një moment i pazakontë u shënua gjatë konferencës për mediat të kryeministrit Edi Rama, i cili ndërpreu për rreth 5 minuta komunikimin me gazetarët pas një debati të tensionuar me gazetaren Ambrozia Meta.

Përplasja ndodhi pas një pyetjeje lidhur me atë që u cilësua si përdorim i standardeve të dyfishta në raport me ndëshkimet penale për qytetarët dhe rastin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.

Gjatë shkëmbimit të fjalëve, Rama kundërshtoi pretendimin se ka deklaruar ndonjëherë burg për qytetarët që nuk paguajnë energjinë elektrike, duke theksuar se ndëshkimi penal lidhet vetëm me vjedhjen e energjisë dhe jo me mospagesën e faturave.

Debati me gazetaren u tensionua, ndërsa kryeministri i kërkoi asaj të mos e kthente konferencën në debat politik, duke theksuar se konferenca ishte për pyetje dhe përgjigje.

Pas përplasjes, Rama vendosi të ndërpresë përkohësisht konferencën për pesë minuta, një veprim i pazakontë gjatë komunikimeve të tij publike me mediat.

Ndërkohë, gazetarja Ambrozia Meta u nxor jashtë nga salla ku po mbahej konferenca e kryeministrit.

Ky nuk është rasti i parë i përplasjes mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetares Ambrozia Meta. Në mars të vitit 2024, gjatë një komunikimi me gazetarët para selisë së Partisë Socialiste, Rama u përfshi në një incident kur zgjati dorën dhe e preku gazetaren në fytyrë gjatë një replike.

Organizatat e medias e cilësuan veprimin si cenim të integritetit fizik dhe sjellje të papranueshme ndaj një gazetareje, ndërsa kryeministri e mohoi akuzën, duke e quajtur reagimin një “agresion imagjinar” dhe duke deklaruar se nuk kishte arsye të kërkonte ndjesë.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu