
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X pas vendimit të Kuvendit që rrëzoi kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku.
Në reagimin e tij, Rama përshëndeti deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, duke theksuar se qeveria dhe mazhoranca janë plotësisht dakord me parimet e shprehura prej tyre për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Sipas kryeministrit, Kuvendi veproi drejt duke refuzuar heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të kushteve ligjore për një masë të tillë ekstreme.
Rama theksoi se mazhoranca qeverisëse mbetet e fokusuar në objektivin strategjik të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
“Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se reforma në drejtësi nuk do të kthehet mbrapa dhe se pavarësia e gjyqësorit nuk do të cenohet, ndërsa mbështetja për SPAK do të mbetet e palëkundur.
Ai theksoi gjithashtu se deputetja Belinda Balluku nuk është e akuzuar për korrupsion dhe se hetimi duhet të vazhdojë pa ndërhyrje apo presione ndaj drejtësisë.
Sipas Ramës, vendimi i Kuvendit ishte në përputhje me standardet demokratike dhe me parimin e ndarjes së pushteteve.
“Sot ne kemi respektuar plotësisht normat kushtetuese dhe ligjore. Shqipëria nuk ka plan B”, përfundoi kryeministri në reagimin e tij.



