
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi ditën e nesërme, në orën 10:00, para Parlamentit.
Policia e Tiranës bën të ditur se, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, janë marrë të gjitha masat e nevojshme në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në zbatim të ligjit “Për tubimet”.
Në kuadër të këtyre masave, ditën e nesërme do të kufizohet lëvizja e automjeteve në rrugën “George W. Bush”, nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit.
Sipas Policisë, në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore përreth zonës së Parlamentit.
Në rast bllokimi të rrugëve, Policia e Tiranës ka parashikuar devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet e përkohshme të lëvizjes dhe apelon që të distancohen nëse përballen me veprime të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.






