
Një debat i fortë është zhvilluar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, mes gazetarit Lutfi Dervishi dhe deputetit të Partisë Socialiste Erjo Mile, lidhur me çështjen e burgosjes për faturat e energjisë elektrike.
Gjatë diskutimit për masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë, Dervishi i kujtoi deputetit socialist deklaratat e mëparshme të kryeministrit Edi Rama, i cili kishte paralajmëruar burg për ata që nuk paguanin energjinë dhe ujin.
Gazetari theksoi se një qëndrim me parime do të ishte nëse i njëjti standard do të mbahej gjithmonë.
“Nëse ti do të ishe me të njëjtin qëndrim gjatë gjithë kohës, kjo do të quhej një qëndrim me principe. Por ti ke pasur një kryeministër që thoshte: ‘të futen në burg këta që s’paguajnë energjinë elektrike, që s’paguajnë ujin’,” u shpreh Dervishi.
Nga ana tjetër, deputeti Erjo Mile kundërshtoi këtë interpretim, duke theksuar se në burg kanë përfunduar vetëm ata që vidhnin energjinë elektrike, dhe jo ata që thjesht nuk paguanin faturat.
“Ata që vjedhin energjinë elektrike, ata që vjedhin ujin. Janë dy gjëra të ndryshme,” tha Mile.
Por gazetari Dervishi këmbënguli se ka pasur raste kur qytetarë janë ndëshkuar edhe për shuma të vogla të papaguara.
“E di që kanë shkuar njerëz në burg që s’kanë paguar 30 mijë lekë të vjetra,” deklaroi ai.
Deputeti socialist e mohoi këtë pretendim, duke u shprehur prerë:
“Jo, nuk ka ndodhur.”
Debati në studio u fokusua në dallimin mes mos pagesës së faturave dhe vjedhjes së energjisë, një çështje që ka qenë shpesh objekt polemikash në politikën shqiptare.





