Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se presidentja aktuale Vjosa Osmani nuk i garantoi Lëvizjes Vetëvendosje kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, ndaj sipas tij ajo nuk u propozua nga LVV për një mandat të ri.

Në një deklaratë për mediat, Kurti tha se kjo ishte e qartë edhe para seancës dhe, sipas tij, u vërtetua nga zhvillimet në Kuvend. Ai u shpreh se as presidentja aktuale dhe as një kandidat tjetër i mundshëm nuk garantonin numrat e nevojshëm për ta kaluar procesin.

“Ne e kemi ditur paraprakisht që as presidentja aktuale, as presidenti potencial nuk na garantojnë kuorumin. Kjo u tregua mbrëmë me ata 66 deputetë”, tha Kurti, duke shtuar se në këtë situatë LVV ka bashkëpunuar me partitë e tjera dhe në fund ka vendosur të propozojë Glauk Konjufcën.

Kreu i qeverisë tha gjithashtu se, sipas tij, praktika e kandidaturave partiake për postin e presidentit është nisur më herët nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa mbrojti vendimin e partisë së tij për të dalë me kandidatin e vet.

Kurti komentoi edhe deklaratat e Osmanit, e cila kishte folur për “njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme”, duke thënë se nuk e di pse kjo deklaratë mund të lidhej me të. Sipas tij, të papërgjegjshëm ishin ata deputetë që munguan në seancë.

Deklarata e Kurtit vjen në një moment tensioni politik në Kosovë, pasi Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën për president, ndërsa nga Presidenca janë hedhur poshtë pretendimet se Osmanit i janë ofruar nënshkrime nga LVV për rizgjedhje, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu