
Propozimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga populli ka hasur në një tjetër pengesë procedurale.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete në Kuvendin e Kosovës, Përparim Gruda, deklaroi se amendamentet e proceduara nuk mund të shqyrtohen në këtë fazë për shkak se kanë kaluar afatet procedurale.
Sipas Grudës, këto amendamente janë dërguar për vlerësim në Gjykata Kushtetuese e Kosovës që në vitin 2011 dhe tashmë kanë kaluar rreth 14 vjet nga shqyrtimi i tyre fillestar.
“Jemi gati 14 vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra kemi kaluar çdo afat. Komisioni nuk mund të shqyrtojë amendamente që kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese më shumë se një dekadë më parë”, u shpreh ai.
Gruda sqaroi gjithashtu procedurën që duhet të ndjekin amendamentet kushtetuese. Sipas tij, hapi i parë është propozimi nga Presidentja, Qeveria ose një e katërta e deputetëve, më pas ato dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për të verifikuar nëse cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut apo të drejtat e komuniteteve.
Vetëm pasi Gjykata Kushtetuese përfundon shqyrtimin, amendamentet kalojnë për shqyrtim në Komisionin për Legjislacion, ku mund të bëhen edhe rregullime teknike sipas vërejtjeve të gjykatës, përpara se të dërgohen për votim në Kuvend.
Debati erdhi disa orë pasi presidentja Osmani procedoi në Kuvend amendamentet për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët, duke argumentuar se nisma lidhet me dështimet e njëpasnjëshme për zgjedhjen e kreut të shtetit në parlament.
Nisma vjen në një moment të ndjeshëm politik në Kosovë, teksa po afrohet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri në Kuvend, duke rritur presionin mbi partitë politike për të arritur një konsensus.



