Kryeministri Edi Rama promovoi librin “Në Sofrën e Hënës”, një përmbledhje reflektimesh dhe fjalësh të mbajtura gjatë mbrëmjeve tradicionale të iftarit të organizuara ndër vite.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se ideja për botimin e librit lindi nga miq dhe bashkëpunëtorë myslimanë që agjërojnë, të cilët e nxitën të përmblidhte reflektimet e mbajtura në këto takime.

Sipas tij, sofra e iftarit është më shumë sesa një ritual fetar, pasi ajo shërben si një hapësirë që bashkon njerëz nga besime dhe përvoja të ndryshme.

“Për mua sofra e iftarit është përtej agjëruesve dhe është një moment i bukur për të bashkuar njerëz që vijnë nga rrugë të ndryshme të jetës dhe nga sfonde të ndryshme të besimeve të tyre,” tha Rama.

Kryeministri theksoi se përvoja e këtyre mbrëmjeve e ka nxitur të thellohet më shumë në leximin dhe kuptimin e kulturës islame, duke e cilësuar atë një burim të rëndësishëm urtësie kulturore.

Ai u ndal edhe te rëndësia e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri, duke theksuar se këto vlera duhet të kultivohen vazhdimisht.

“Përtej sloganit të bashkëjetesës fetare qëndron një thesar kulturash që vijnë nga feja këtu tek ne dhe që meritojnë përkushtimin, respektin dhe admirimin tonë,” u shpreh Rama.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se po punohet për krijimin e Muzeut të Artit Islam në Shqipëri, i cili pritet të ndërtohet pranë Kalasë së Tiranës, në zonën e ish-sarajeve të Toptanëve. Sipas tij, në të njëjtën hapësirë do të ngrihet edhe Muzeu “Besa”, i dedikuar marrëdhënieve historike të shqiptarëve me hebrenjtë.

Në përfundim, Rama tha se tradita e iftarit përfaqëson edhe një edukatë sociale, pasi njerëzit mblidhen rreth së njëjtës tryezë për të ndarë kohën dhe bashkëbisedimin përtej dallimeve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu