Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mbrojti diplomatin Ferit Hoxha nga akuzat e kreut të grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, i cili i kërkoi presidentit të mos e zhvillojë ceremoninë e betimit të tij si ministër i jashtëm.

 

Në fjalën e tij, Balla kritikoi sulmet ndaj ambasadorit Hoxha, duke theksuar se ato nuk i bëjnë mirë debatit parlamentar dhe se janë personale. Ai vlerësoi karrierën diplomatike të Hoxhës, duke kujtuar se ka shërbyer si ambasador në administrata të ndryshme dhe është dekretuar tri herë në këtë detyrë nga ish-presidenti Ilir Meta.

 

“Sulmet ndaj ambasadorit Hoxha, i cili në kulm të karrierës së tij u vlerësua me pozicionin më të lartë hierarkik brenda Ministrisë së Jashtme, atë të ministrit të Jashtëm, nuk i bëjnë mirë askujt në këtë sallë”, u shpreh Balla.

 

Ai theksoi se Hoxha është një diplomat karriere që ka punuar me të gjitha qeveritë dhe administratat politike në vend, duke shtuar se vlerësimi për punën e tij është dhënë edhe nga qeveritë e djathta.

 

Balla u ndal edhe te akuzat lidhur me marrëveshjen e detit me Greqinë, duke theksuar se në asnjë rast përgjegjësia për marrëveshje të tilla nuk bie mbi përfaqësuesit teknikë, por mbi drejtimin politik.

Sipas tij, marrëveshja e detit e vitit 2009, e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese pas padisë së Partisë Socialiste në atë kohë, përbën një nga fitoret më të rëndësishme politike të kësaj force.

Në fund të fjalës së tij, Balla i kërkoi opozitës të distancohet nga sulmet personale ndaj diplomatëve, duke vlerësuar kontributin e ambasadorit Hoxha në përfaqësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe pranë Bashkimit Europian në Bruksel.

 

 

 

Reagimi i plotë:

Zonja kryetare, kolegë që jeni në sallë.

 

Unë mendoj që sulmet ndaj ambasadorit Hoxha, i cili në kulm të karrierës së tij u vlerësua me pozicionin më të lartë hierarkik brenda Ministrisë së Jashtme, atë të ministrit të Jashtëm nuk i bëjnë mirë askujt në këtë sallë.

 

Por faktin se pjesa jonë më e madhe këtu na ka rënë mundësia të punojmë me zotin Hoxha.

 

I cili si një ambasador karriere ka punuar me të gjitha administratat, qoftë ato të drejtuara nga ju apo nga ne.

 

Dhe sa i përket ish-presidentit Meta i cili ka dekretuar jo pak, por 3 herë zotin Hoxha ambasador.

 

Kështu që ky zoti Meta kur i ka pasur këto informacione që ju pretendoni.

 

Dhe ndërkohë.

 

Besoj që të njëjtin vlerësim duhet, ndaj dhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

 

Për kohën që zoti Hoxha ka punuar si ambasador nën qeverisjen e tyre, të paktën në 2 mandate të 2005, 2009 dhe 2009–2013.

 

Sa i përket akuzave lidhur me marrëveshjen e detit.

 

Në Asnjë rast në asnjë administratë nuk fajësohen përfaqësuesit teknikë.

 

Përgjegjësitë janë gjithmonë politike.

 

Ky është organizimi shtetëror i përgjegjësive dhe përgjegjësitë e këtyre kësaj natyre janë përgjegjësi politike.

 

Nuk ka askush dyshime që marrëveshja e detit e vitit 2009, për të cilën si anëtar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në atë kohë kam pasur nderin e madh ta denoncoj në Gjykatën Kushtetuese dhe të cilën e konsideroj një prej fitoreve më të mëdha politike të Partisë Socialiste, e cila përgjatë gjithë historikut të vet 35-vjeçar ka qëndruar gjithmonë në krahun e duhur të historisë.

 

Duke mbrojtur interesin kombëtar, sikurse mbrojtëm interesin tonë kombëtar në rastin e një marrëveshjeje deti e cila nuk ishte as në dobi të marrëdhënieve shumë të mira mes dy popujve tanë, atij grek dhe shqiptar.

 

Kështu që.

 

Zoti Blushi, më vjen shumë keq që degraduat në një sulm të natyrës personale.

 

Dhe shpresoj shumë që grupi parlamentar i Partisë Demokratike, si grupi i dytë më i madh në Kuvendin e Shqipërisë të dijë të distancohet nga një sulm ndaj një njeriu që mendoj, dhe mendoj që edhe ju mendoni si unë, ambasador i suksesshëm, me mandate tepër të suksesshme në përfaqësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe së fundmi edhe pranë Bashkimit Europian si ambasadori ynë në Bruksel.

 

Faleminderit, zonja kryetare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu