Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë ka depozituar në Kuvend një projektligj që synon uljen e çmimit të karburanteve në vend, përmes pezullimit të disa taksave kryesore deri në mars të vitit 2028.

Projektligji parashikon pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit për benzinën, gazoilin dhe biokarburantet, si një masë për të lehtësuar barrën financiare për qytetarët dhe bizneset.

Në relacionin shoqërues të nismës theksohet se zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme pritet të ndikojnë në rritjen e çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, duke krijuar një situatë të ngjashme me atë të vitit 2022, kur lufta në Ukrainë solli rritje të ndjeshme të çmimeve.

Sipas deputetëve propozues, Shqipëria ka aktualisht çmimin më të lartë të karburanteve në rajon. Ata theksojnë se nafta në vend arrin rreth 1.83 euro për litër, ndërsa në Kosovë rreth 1.18 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi rreth 1.27 euro për litër.

Në relacion theksohet gjithashtu se mbi 60% e çmimit të karburanteve në Shqipëri përbëhet nga taksat, akciza dhe TVSH-ja, çka bën që çdo rritje e naftës të reflektohet menjëherë në çmimet e produkteve ushqimore, transportit dhe shërbimeve.

Propozuesit argumentojnë se pezullimi i këtyre taksave do të shërbente si një ndërhyrje emergjente fiskale për të stabilizuar konsumimin familjar dhe aktivitetin e biznesit, pa krijuar probleme në planin e të ardhurave buxhetore për vitin 2026.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u shpreh se kjo nismë është jetike për qytetarët shqiptarë dhe se miratimi i saj do të jetë një test për çdo deputet në Kuvend.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu