Televizionet dhe gazetat kryesore në gjuhën arabe kanë pasqyruar me tone të ndryshme luftën mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, duke ofruar analiza që variojnë nga akuza për shkelje të së drejtës ndërkombëtare deri te parashikime për një ndryshim të mundshëm regjimi në Teheran.

Sipas raportimeve të publikuara nga mediat rajonale, një pjesë e opinionit arab e konsideron sulmin amerikano-izraelit ndaj Iranit si një akt që cenon normat ndërkombëtare dhe rrezikon stabilitetin e gjithë Lindjes së Mesme. Media pranë Hezbollahut, si Al Mayadeen, e cilësojnë vrasjen e liderit suprem iranian si një precedent të rrezikshëm që minon proceset diplomatike, sidomos në një moment kur ishin zhvilluar negociata.

Nga ana tjetër, analiza të publikuara në BBC Arabic ngrenë skenarin se në rast të rrëzimit të regjimit aktual, Irani mund të përfundojë nën kontrollin e një qeverie ushtarake, me rol dominues të Gardës Revolucionare Islamike, e cila ka ndikim të thellë në strukturat e sigurisë dhe në ekonomi.

Al Jazeera në gjuhën arabe ka trajtuar mundësinë që kolapsi i regjimit iranian të sjellë një ndryshim strategjik në rajon, të krahasueshëm me rënien e Bashkimit Sovjetik, por paralajmëron për pasoja të paparashikueshme gjeopolitike.

Ndërkohë, Al Arabiya thekson rrezikun që Lindja e Mesme të kalojë “nga një burim destabiliteti te një tjetër”, duke aluduar për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe tensioneve rajonale.

Në planin ekonomik, media si Sky News Arabia raportojnë për rritje të ndjeshme të kostove të sigurimit për anijet që kalojnë nëpër ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar ndikim të drejtpërdrejtë në tregtinë ndërkombëtare dhe në çmimet e energjisë.

Konflikti në Iran ka polarizuar opinionin publik në Lindjen e Mesme, ndërsa analiza dhe komentet në mediat arabe reflektojnë frikën për destabilizim afatgjatë, por edhe debatet mbi të ardhmen politike të Teheranit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu