
Në fjalën e tij në Kuvend, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla artikuloi një qëndrim të qartë të mazhorancës për zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke konfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për SHBA-në dhe Izraelin. Paralelisht, ai sulmoi ashpër opozitën për dhunën në protesta, reagoi ndaj debatit për sulmin ndaj fondacionit Art Explora dhe sqaroi situatën në aksin Librazhd-Prrenjas, duke e lidhur atë me rëndësinë strategjike të Korridorit 8.
Balla akuzoi drejtpërdrejt Sali Berishën se ka nxitur sulme ndaj godinave në Shqipëri, duke e krahasuar me një “ayatollah” në Europë. Ai e cilësoi hipokrizi faktin që, sipas tij, ndërsa aleatët perëndimorë godasin objektiva ushtarake në Iran, opozita në Shqipëri sulmon objekte civile.
Balla kërkoi që Partia Demokratike të distancohet qartë nga dhuna, duke theksuar se në asnjë vend demokratik protestat e dhunshme nuk udhëhiqen nga parti politike. Ai iu referua edhe qëndrimeve të Partive Popullore Europiane, duke kërkuar që PD të rreshtohet në linjë me partnerët e saj europianë.
Ai e cilësoi sulmin ndaj fondacionit francez Art Explora si një sinjal të keq për një parti që dikur kishte si ideal integrimin europian. Sipas tij, përdorimi i zjarrit dhe dhunës kundër projekteve të huaja bie ndesh me aspiratën për ta bërë Shqipërinë si Europa.
Në përmbyllje, Balla mirëpriti çdo deklarim të opozitës kundër dhunës dhe theksoi se Shqipëria mbetet e rreshtuar në krah të SHBA-së, Izraelit dhe vendeve mike në Gjirin Persik, duke e paraqitur këtë si vijë të qartë politike të mazhorancës.
Fjala e plotë:
Zoti Shehu dhe gjithë kolegëve deputetë, qeveria shqiptare përmes kryeministrit Rama e ka bërë të qartë mbështetjen e Shqipërisë ndaj ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Izraelit në një sulm parandalues ndaj Iranit, dhe po ashtu sikurse besoj jeni në dijeni, kryeministri Rama ka shprehur solidaritetin e plotë të Shqipërisë me vendet në Gjirin Persik të cilat janë kthyer në target të regjimit në shkatërrim e sipër të Ayatollahëve në Iran.
Kryeministri ka biseduar sot në një bisedë telefonike me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe me lartësinë e tij, Muhamed Bin Zajed, dhe po ashtu ka shprehur solidaritetin edhe me vendet tjera mike, popujt vëllezër të Katarit, të Arabisë Saudite, të Bahreinit, pa dyshim të Emirateve të Bashkuara, por siç jeni ndjeni, ka pasur sulme edhe ndaj Qipros, aty ku janë bazat ushtarake.
E mirëpresim propozimin tuaj për të pasur pse jo edhe Kuvendi i Shqipërisë një qëndrim, po besoj që qëndrimi i qeverisë ka qenë i qartë, më të njëjtën linjë me atë që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, konfirmoi se objektivi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte të mbronte popullin amerikan dhe vendet aleate duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian nga një grup i pamëshirshëm dhe shumë i ashpër dhe shumë i rrezikshëm.
Dhe e vërteta është paksa e hidhur, se ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli me forcat e tyre ushtarake godisnin objektivat e regjimit të ajatollahëve, Ayatollahu i fundit në Europë, Sali Berisha urdhëronte ju dhe ata që ju vijnë nga mbrapa të sulmonit godina. Ina nuk ke pse vërtetë ti, sepse në atë godinë që sulmonte Saliu nga të gjithë ne që jemi këtu, vetëm Saliu kishte brenda. Asnjëri nga ne para viteve ’90 as nuk e ka pasur dot në ëndërr të hynte në atë godinë. I vetmi që mund të hynte në atë godinë madje edhe të ngrohej pranë zjarrit bubulak të familjes së diktatorit ishte Ayatollahu, në krye të partisë tuaj.
Dhe hipokrizia më e madhe në këtë moment që flasim është që ndërkohë që në Kuvendin e Shqipërisë kemi planifikuar ditën, foltoren për qytetarët, ju braktisni foltoren e qytetarëve për të shkuar diku ku bashkë me shërbimet mbështetëse të PD-së nuk bëheni 70 veta. Megjithatë kjo është diçka tjetër, por mu desh t’i përgjigjem asaj që tha zoti Shehu.
E për ta vazhduar, besoj që sot është dita që dikush në emër të grupit parlamentar të PD-së në linjë me grupin e partive popullore europiane në Parlamentin Europian e thënë qartë përmes David McAllister kryetarit të Komitetit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, që duhet të distancoheni nga dhuna, madje dëgjova një prej këtyre përfaqësuesve tuaj që kishte nxjerrë në internet pra në rrjetet sociale edhe shembuj të protestave në vende tjera. Ka një dallim shumë të madh, po pa dyshim që ka edhe protesta të dhunshme edhe në vende tjera, por nuk ka asnjë vend në botë që protestat e dhunshme të udhëhiqen nga një parti politike. Pra mund t’i bëjnë grupe të caktuara destabilizuese antisistem, por nuk mund të udhëhiqen nga një parti politike. Dhe sulmi ndaj fondacionit të Art Explora një investim tërësisht francez, është një sinjal i keq për një parti politike e cila në vitin 1991 kishte ideal anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa|, dhe sot ju jeni shndërruar në një parti që përdorni zjarr e flakë kundër projekteve të huaja, me ndoshta ndonjë synim të qartë për të zhbërë një provë që ju lidh shumë ose të paktën udhëheqësin tuaj e lidh me regjimin e kaluar.
Sa i përket diçka që u ngrit këtu për situatën në aksin e rrugor Librazhd-Prrenjas, përtej gjithë thashethemnajës, shpifjeve ai është një rast që është i qartë që kemi të bëjmë me një fatkeqësi natyrore, edhe 30 vjet më parë kur një kompani asokohe greke e kontraktuar nga qeveria në vitin 1995, kur ndërtonte urën në atë vend ka pasur një rrëshqitje është bllokuar rruga për një kohë të gjatë edhe asokohe, dhe ky është një fakt të paktën për shkak se edhe jam bano.r kam qenë dhe jam banor i Librazhdit dhe e di fare mirë atë që ka ndodhur, përdorimi i një fatkeqësie natyrore për qëllime politike është mungesë largpamësie politike pikë së pari, por lajmi i mirë është që prej nesër në orën 12:00 rifillon qarkullimi në atë aks, në atë kalim të përkohshëm, ndërkohë që mbi këtë kalim të përkohshëm vijon puna intensivisht për vijimin e projektit të korridorit 8.
Është fakt që falë kësaj qeverie, korridori 8 do të jetë një korridor i tetë, ashtu siç i ka hije këtij korridori europian, nuk do të kishim pasur një korridor tetë nëse nuk do të kishte qenë insistimi i qeverisë Rama në samitin e zhvilluar në Shqipëri të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor.
Ka qenë një betejë e vështirë të mbajmë korridorin tetë si një korridor europian, një betejë shumëvjeçare, po e fituar nga kjo qeveri. Dhe e vërteta është që korridori tetë do të japë Shqipërisë një mundësi të artë për të qenë një vend, një urë ndërlidhëse e portit të Durrësit dhe portit të Varnës për transportin jo vetëm të udhëtarëve, jo vetëm të mallrave, por dhe të pajisjeve ushtarake në kushtet e reja të gjeopolitike me të cilat ndodhet sot Europa.
Kështu që në këtë këndvështrim mendoj që gjithë ato ankesa që u thanë këtu për sa i përket këtij projekti, është një projekt i madh, kalon në një zonë të vështirë, nuk përjashtohet që problematika të ngjashme të ripërsëriten edhe në pjesë të tjera të rrugës, të paktën nga pjesa që lidhet nga Dragostunja deri në pjesën e Bushtricës ku më pas fillon një aks i ri rrugor që lidh nga ura e Bushtricës deri te tuneli që kalon në kufirin mes dy vendeve, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku do të jetë tërësisht një aks i ri rrugor dhe aty pastaj do të jetë më e thjeshtë pjesa që lidhet me problematikat e aksit rrugor aktual.
Ndërkohë që gjithë pjesa aktuale është fakt që kur ndërtohet një rrugë mbi aksin e vjetër krijohen dhe problematika të kësaj natyre. Kështu që zoti Shehu meqë ju përgjigja për replikë fjalës tuaj është shumë e mirëpritur fakti që vjen zyrtarisht nga Partia Demokratike dënimi i dhunës dhe po ashtu solidariteti me vendet, e para me partnerin tonë strategjik të Shtetit të Bashkuar të Amerikës, me Izraelin, por dhe me vendet mike në Gjirin Persik të cilat sot gjenden nën goditjen e regjimit në rënie të ajotollahëve. Faleminderit.






