
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “ka shumë gjasa të ketë viktima të tjera amerikane” ndërsa operacionet ushtarake ndaj Iranit do të vazhdojnë deri në përmbushjen e “të gjitha objektivave”.
Deklarata vjen pasi Komanda Qendrore e SHBA (US Central Command) konfirmoi se tre ushtarakë amerikanë janë vrarë në veprim dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë gjatë operacioneve të fundit.
Trump theksoi se aktiviteti ushtarak në rajon nuk do të ndalet derisa objektivat strategjike të jenë arritur plotësisht, duke rritur ndjeshëm tensionin në Lindjen e Mesme dhe presionin politik brenda SHBA-së.
Nga ana tjetër, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se dita e parë e operacioneve në Iran ka sjellë “arritje shumë domethënëse”, por paralajmëruan se “shumë ditë të tjera luftime janë përpara”.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm izraelit, Gjenerallejtënant Eyal Zamir, tha se ushtria “nuk do të kursejë asnjë përpjekje” për të përshpejtuar arritjen e objektivave.
Sipas një raporti të shpërndarë nga US Centcom, mbi 1,000 objektiva iraniane janë goditur në 24 orët e para të operacionit “Epic Fury”, përfshirë qendra komanduese, baza raketore balistike dhe struktura të Gardës Revolucionare Islamike.
Në Izrael, në qytetin Beit Shemesh, nëntë persona janë vrarë pas një sulmi me raketa, sipas shërbimeve mjekësore.
Zyrtarë iranianë raportojnë se të paktën 153 persona, përfshirë fëmijë, kanë humbur jetën pas një sulmi që goditi një shkollë.
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftojnë për tre viktima nga sulmet iraniane.
Në Kuvajt raportohet një viktimë.
Ndërkohë, një këshill i përkohshëm drejtues është emëruar në Iran pas njoftimeve për vrasjen e liderit suprem Ali Khamenei, ndërsa ministri i Jashtëm iranian deklaroi se një lider i ri mund të zgjidhet brenda “një ose dy ditësh”.
Çdo viktimë amerikane rrit presionin politik brenda SHBA-së. Gjatë fushatës elektorale, Trump kishte premtuar “pa luftëra të reja të huaja”, ndërsa tani përballet me një konflikt që mund të zgjatet.
Ndërkohë, në Uashington vihet re një heshtje relative nga zëvendëspresidenti JD Vance, i cili më parë kishte shprehur skepticizëm për përfshirje të gjata ushtarake në Lindjen e Mesme.
Sulmet iraniane janë shtrirë nga Izraeli deri në Gjirin Persik, me shpërthime të raportuara në Dubai, Bahrein dhe Doha. Zyrtarë të Gjirit kanë paralajmëruar se çdo sulm ndaj vendeve të GCC përbën “kërcënim për stabilitetin kolektiv”.






