Debati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës ka rikthyer diskutimet politike në vend, ndërsa analistë dhe figura publike kanë komentuar skenarët e mundshëm.

Ish-deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Rrustem Mustafa, deklaroi në emisionin “FIVE” në TV Dukagjini se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit i takon tërësisht Lëvizjes Vetëvendosje, si parti në pushtet. Sipas tij, shkuarja në zgjedhje të reja do të ishte “gabim i madh”, duke theksuar se me shumicën parlamentare që ka, Vetëvendosje duhet ta zgjidhë çështjen brenda institucioneve.

Mustafa tha se mundësia për vazhdimin e mandatit të presidentes Vjosa Osmani mbetet opsion, por vendimi final është në duart e kryeministrit Albin Kurti.

Në të njëjtin emision, analisti politik Ardian Bytyqi përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke argumentuar se pozita ka fuqinë për të siguruar votat për kandidatin që propozon. Sipas tij, nëse nuk paraqitet një emër tjetër, Osmani mund të marrë një mandat të dytë. Ai shtoi se në skenarin e fundit, edhe Glauk Konjufca mund të jetë kandidat për president.

Ndërkaq, ish-diplomati Blerim Canaj u shpreh skeptik për arritjen e konsensusit, duke paralajmëruar se vendi mund të përballet me zgjedhje të reja nëse nuk sigurohen votat e nevojshme në Kuvend. Ai tha se Osmani nuk gëzon mbështetjen e partive opozitare dhe përjashtoi përkrahjen e Listës Serbe në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Canaj kritikoi gjithashtu veprimtarinë e presidentes në planin e brendshëm, duke ngritur pretendime për shkelje kushtetuese dhe duke vënë në pikëpyetje sigurimin e shumicës së nevojshme për një mandat të ri.

Debati për Presidencën mbetet i hapur, ndërsa sytë janë drejt shumicës parlamentare dhe vendimeve që pritet të merren në javët në vijim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu