
Partia Demokratike do të zhvillojë këtë të shtunë, 28 shkurt, protestën e radhës në Tiranë, por ndryshe nga tubimet e mëparshme, nuk do të ketë fjalime në podium para godinës së Kryeministrisë.
Megjithatë, nuk përjashtohen forma të tjera reagimi si marshime nëpër qytet, bllokime rrugësh apo ngujim para selisë së qeverisë. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar se “të gjitha format janë në konsideratë”, duke theksuar se asnjë opsion nuk është përjashtuar.
Ai ka paralajmëruar pjesëmarrje masive në tubim. Kjo është protesta e katërt e opozitës për këtë vit, ndërsa kërkesa kryesore mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.
Protesta vjen në një moment të nxehtë politik, pas ndryshimeve të fundit në kabinetin qeveritar, ku Rama largoi Belinda Ballukun dhe dy ministra të tjerë, ndërsa lëvizjet prekën në total gjashtë poste qeveritare.






