
Një moment me simbolikë të fortë politike ka ndodhur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, gjatë seancës për pyetje të deputetëve, mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe deputetit shqiptar Riad Shaqiri.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i dhuroi flamurin maqedonas deputetit Shaqiri, pasi vuri re se në kostumin e tij mbante vetëm flamurin shqiptar. Gjatë debatit, Mickoski tha se shpreson që herën tjetër deputeti të mbajë krahas flamurit shqiptar edhe atë maqedonas, duke theksuar se paga e tij vjen nga shteti i Maqedonisë së Veriut.
Deputeti Riad Shaqiri iu përgjigj se është krenar për identitetin e tij shqiptar dhe se flamurin e vogël shqiptar e ka dhuratë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Kur të ma sillni ju flamurin e Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e radhës do të vij me të njëjtin”, u shpreh ai.
Pas këtij shkëmbimi replikash, Shaqiri vendosi në kostumin e tij edhe flamurin maqedonas, duke e mbyllur momentin me një gjest simbolik brenda sallës së Kuvendit.
Ngjarja ka nxitur reagime në opinionin publik, duke rihapur diskutimin mbi simbolikën kombëtare dhe bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.






