Shkup, 27 shkurt 2026 – Presidenti i Republikës, mbajti një fjalim në gjuhën shqipe para Parlamentit të Maqedonisë së veriut në një seancë të posaçme thuhet në njoftimin zyrtar të presidencës.

 

Në një Kuvend ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, ku kryetari  është shqiptar, ku ka deputetë shqiptarë, anëtarë shqiptarë të qeverisë dhe ku vetë sistemi kushtetues njeh përdorimin e saj, pyetja tingëllon më shumë si shpotitëse sesa serioze: çfarë gjuhe duhet të fliste Presidenti i Shqipërisë?

 

Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si “shtyllë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor”, theksoi rëndësinë e bashkëjetesës ndëretnike dhe riafirmoi përkushtimin ndaj Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si gur themeli i barazisë dhe funksionimit multietnik të shtetit.

Ai nënvizoi se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është thjesht destinacion, por standard – duke kërkuar thellim të bashkëpunimit ekonomik, energjetik dhe infrastrukturor, me theks të veçantë te Korridori VIII.

Por përtej mesazheve diplomatike, fakti që Presidenti i Shqipërisë iu drejtua Parlamentit në shqip është një akt normaliteti institucional. Shqipja nuk është gjuhë e huaj në Shkup. Është gjuhë zyrtare, është gjuhë qytetarësh, është gjuhë përfaqësimi.

Në fund, ndoshta pyetja më e saktë nuk është “pse foli shqip?”, por: a ka vend ende për habi kur një gjuhë zyrtare përdoret zyrtarisht?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu