
Një incident me tone të forta ka shoqëruar një aktivitet të zhvilluar në Tetovë, ku Ministrja e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Vesna Janevska, kërkoi që diskutimet të zhvilloheshin në gjuhën maqedonase, duke theksuar se nuk e kuptonte plotësisht shqipen.
Ngjarja ndodhi gjatë një debati për ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë, ku përfaqësues të Universitetit të Tetovës dhe profesorë po flisnin në shqip. Ministrja insistoi që komunikimi të bëhej në maqedonisht, duke deklaruar se gjuha zyrtare në vend është maqedonishtja dhe se të gjithë duhet ta përdorin atë në prani të saj.
Gazetarët i kërkuan që në raste të tilla të shoqërohej me përkthyes, por ajo u përgjigj se nuk është e detyruar nga ligji të ketë përkthyes, duke shtuar se për të shmangur keqkuptimet, preferon që të tjerët të flasin maqedonisht. Replikat mes saj dhe gazetarëve sollën tension në sallë, ndërsa në shenjë proteste simbolike, një prej gazetarëve i hoqi mikrofonin.
Kjo nuk është hera e parë që ministrja përballet me kritika lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në aktivitete publike në Tetovë. Më herët, ajo kishte kërkuar që edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, të komunikonte në maqedonisht, ndonëse aktiviteti zhvillohej në një qytet me shumicë shqiptare.
Reagim të ashpër ka pasur nga partia opozitare shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila theksoi se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare e garantuar me Kushtetutë dhe ligj, dhe jo “gjuhë komuniteti”, siç u shpreh ministrja. Sipas BDI-së, çështja e gjuhës nuk është preferencë personale, por detyrim institucional.
Debati rihap diskutimin mbi zbatimin praktik të barazisë gjuhësore në Maqedoninë e Veriut dhe ndjeshmëritë që shoqërojnë përdorimin e shqipes në institucionet shtetërore.






