
Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka dëshmuar me dyer të mbyllura përpara Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Llogaridhënies në Dhomën e Përfaqësuesve, në kuadër të hetimeve për çështjen e financierit të ndjerë, Jeffrey Epstein.
Në deklaratën hapëse, të cilën e publikoi edhe në rrjetet sociale, Clinton theksoi se nuk ka pasur asnjë informacion për aktivitetet kriminale të Epstein dhe se nuk mban mend ta ketë takuar apo biseduar ndonjëherë me të. “Nuk kam fluturuar me avionin e tij, nuk kam vizituar ishullin apo shtëpitë e tij. Nuk kam asgjë për të shtuar”, thuhet në deklaratën e saj nën betim.
Clinton e cilësoi procesin si “teatër politik partiak”, duke akuzuar shumicën republikane në komitet se po shmang hetimin e plotë të figurave të tjera që përmenden në dokumentet e lidhura me Epstein. Ajo i bëri thirrje komitetit që të thërrasë për dëshmi edhe ish-presidentin Donald Trump, duke theksuar se nëse synohet zbardhja e së vërtetës, atëherë çdo person i përmendur në dosje duhet të merret në pyetje nën betim.
Nuk ka asnjë sugjerim zyrtar se përmendja e një emri në dokumentet e shumta të çështjes përbën provë për shkelje ligjore.
Seanca është zhvilluar pa praninë e mediave, ndërsa ligjvënësit pritet të japin përditësime gjatë ditës mbi përmbajtjen e dëshmisë. Edhe ish-presidenti Bill Clinton pritet të dëshmojë në vijim.
Çështja Epstein vijon të mbetet një plagë e hapur për opinionin publik amerikan, veçanërisht për viktimat dhe të mbijetuarit, të cilët kërkojnë transparencë dhe drejtësi të plotë.






