
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi me një videomesazh pas fjalës së kryeministrit në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, duke e akuzuar Edi Rama për sulm ndaj drejtësisë dhe përpjekje për të mbrojtur veten, familjen dhe bashkëpunëtorët e tij.
Sipas Berishës, Rama ka manipuluar opinionin publik duke përdorur si mburojë integritetin e drejtueses së AKSHI-t, ndërsa paralelisht – siç u shpreh ai – në Parlamenti Europian është kërkuar heqja e imunitetit dhe dërgimi para drejtësisë i zv.kryeministres Belinda Balluku, si dhe vendosja e kushteve të forta për Shqipërinë në procesin e integrimit.
Berisha deklaroi se kryeministri “sulmoi në mënyrën më të verbër institucionin e akuzës”, duke shtuar se për Ramën lufta kundër korrupsionit bëhet problem vetëm kur, sipas tij, preket rrethi i tij i ngushtë. Ai e cilësoi këtë moment si një përballje të drejtpërdrejtë me drejtësinë dhe me standardet europiane.
Lideri i opozitës bëri thirrje për mobilizim qytetar të shtunën në orën 18:00, duke e cilësuar protestën si një moment vendimtar për “të goditur narkoregjimin dhe krimin në qeveri”.
Në përfundim të mesazhit, Berisha theksoi se “zgjidhja janë qytetarët”, duke apeluar për pjesëmarrje masive në protestë.






