
Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është arrestuar më 23 shkurt në pikën kufitare Bllacë, pas më shumë se një viti në arrati. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Grubi dyshohet për abuzim me detyrën zyrtare në çështjen e njohur si “Lotaria Shtetërore”. Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili përmendet në aktakuzë si i dyshuar.
Sipas prokurorisë, të dy dyshohen se kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes procedurave të prokurimit të pajisjeve për terminalet e lotarisë elektronike (VLT).
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse ndaj Grubit do të caktohet masë paraburgimi apo nëse ai do t’u dorëzohet autoriteteve gjyqësore gjatë ditës për vijimin e procedurave.



