
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mesditën e kësaj të shtune në Kavajë, ku 47-vjeçari Alket Isufi humbi jetën pasi u godit me thikë.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka nisur për motive të dobëta, pas një debati për parkimin e një automjeti pranë banesës së autorit të dyshuar, Landi Puja. Viktima kishte parkuar makinën para banesës së tij, çka ka sjellë reagimin e autorit dhe nisjen e një përplasjeje verbale.
Gjatë debatit, situata është përshkallëzuar dhe autori dyshohet se ka nxjerrë një mjet prerës (thikë), duke e goditur viktimën dy herë në zonën e zemrës. Plagët rezultuan fatale për 47-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në spital.
Komunikata e policise
Kavajë / Informacion shtesë.
Në lidhje me informacionin e dhënë për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 3, Kavajë, ku dyshohet se për motive të dobëta një shtetas goditi me mjet prerës (thikë) një shtetas tjetër, i cili për pasojë ndërroi jetë në spital, sqarojmë se:
Pas verifikimeve të kryera rezultoi se autori i dyshuar është shtetasi L. D., alias L. P., 48 vjeç, banues në Kavajë.
Ndërsa shtetasi që ka humbur jetën si pasojë e goditjes me thikë ka gjeneralitetet S. V., alias S. I., 48 vjeç.
Shërbimet e Policisë po vijojnë ndjekjen për kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.






