
Më 21 shkurt shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur nga UNESCO, me synim promovimin e diversitetit gjuhësor dhe kulturor, si dhe forcimin e shumëgjuhësisë në mbarë botën.
Në këtë ditë simbolike, kryeministri Edi Rama ndau momente nga nisja e fazës gjysmëfinale në shkolla të “Konkursit të Gjuhës Shqipe”, duke e cilësuar këtë nismë si “një fije të artë që lidh fillesat e kombit tonë me të ardhmen e tij”.
Sipas të dhënave zyrtare, në këtë edicion të konkursit morën pjesë 1 022 ekipe nga shkolla të ndryshme në të gjithë vendin, një tregues i interesit dhe angazhimit të nxënësve dhe mësuesve për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës amtare.
Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe synon të forcojë aftësitë gjuhësore të nxënësve dhe të kultivojë krenarinë për gjuhën shqipe, duke e kthyer atë në një urë lidhëse mes dijes, kulturës dhe identitetit kombëtar.






