TIRANË – Tensione të forta janë shënuar mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë, menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Protestuesit goditën godinën e Kryeministrisë me fishekzjarrë dhe bomba molotovë, duke rritur ndjeshëm nivelin e përplasjes me forcat e rendit. Në përgjigje, Policia e Shtetit aktivizoi ujëhedhëset dhe përdori spraj me piper për të shpërndarë turmën.

Një pjesë e protestuesve u tërhoqën, ndërsa të tjerë iu afruan kangjellave të godinës për të hedhur sërish mjete piroteknike në drejtim të saj. Situata mbeti e tensionuar për disa minuta, deri në ndërhyrjen e plotë të policisë për të rivendosur rendin.

Berisha: “As Rama dhe as Balluku nuk do të gjejnë vrimë miu”

Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

“Edi Rama dhe Lubi Balluku nuk do të gjejnë vrimë miu. Do t’i ndëshkojmë me forcën e ligjit,” deklaroi Berisha.

Ai pretendoi se qeveria përdor krimin e organizuar dhe administratën publike për të ndikuar në zgjedhje dhe për të mbajtur pushtetin, duke përmendur edhe çështje si inceneratorët dhe kontratat publike.

Berisha theksoi se opozita është e vendosur për “rikthimin e zgjedhjeve të lira” dhe paralajmëroi vijim të protestave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu