
Një moment i pazakontë ka ndodhur gjatë garës së sprintit në ski në Lojërat Olimpike Dimërore 2026, kur një qen i racës qeni-ujk çekosllovak, i quajtur Nazgul, hyri papritur në pistë dhe u fut mes sportisteve në momentin e photo finish-it.
Ngjarja ndodhi në Tesero, Itali, gjatë kualifikueseve të sprintit për femra në disiplinën cross-country. Nazgul u shfaq papritur në pistë dhe nisi të vraponte paralelisht me sportistet, duke krijuar një skenë të pazakontë që befasoi garueset dhe publikun.
Disa sportiste pranuan se u hutuan për një moment nga prezenca e tij, ndërsa të tjera thanë se ishin aq të përqendruara sa nuk e kishin vënë re menjëherë.
Sipas pronarëve, qeni ishte larguar nga zona ku qëndronte dhe kishte përfunduar në pistë duke ndjekur lëvizjen e njerëzve. Ai u kap shpejt nga organizatorët dhe u largua pa shkaktuar incidente serioze apo lëndime.
Pamjet e Nazgul-it duke “garuar” drejt finish-it u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e cilësuan si momentin më të papritur dhe më simpatik të këtij edicioni olimpik.






