
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përgëzuar Kosovën me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, duke rikonfirmuar përkrahjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
Në mesazhin e publikuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, Rubio theksoi se Uashingtoni pret të zgjerojë lidhjet ekonomike me Kosovën, me synimin për të rritur prosperitetin e të dy vendeve.
Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Kosovës në përballjen me sfidat globale dhe mirëpriti rolin e saj udhëheqës si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
“Ndërsa Kosova shënon këtë përvjetor të rëndësishëm, mezi presim një bashkëpunim edhe më të fortë në vitet në vijim. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Kosovën, ndërsa ajo vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë,” thuhet në urimin e sekretarit amerikan të Shtetit.
Mesazhi konfirmon partneritetin strategjik mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme amerikane për zhvillimin dhe stabilitetin e Kosovës.



