Aktori amerikan Robert Duvall, i njohur për rolet ikonike në filmat The Godfather dhe Apocalypse Now, ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare. Sipas mediave amerikane, fituesi i çmimit Oscar u shua “në paqe” në shtëpinë e tij në Middleburg, Virginia.

Lajmi u konfirmua përmes një deklarate të bashkëshortes së tij, Luciana, e cila e përshkroi aktorin si “gjithçka” për të dhe një artist që i dha shpirt çdo personazhi.

Duvall u bë një nga figurat më të respektuara të kinemasë amerikane falë roleve të forta dhe prezencës së veçantë në ekran. Ai interpretoi këshilltarin e mafies Tom Hagen përkrah Marlon Brando, ndërsa në filmin epik të luftës “Apocalypse Now” fitoi famë botërore me replikën legjendare: “I love the smell of napalm in the morning”.

Gjatë karrierës mbi gjashtë dekada, aktori u nominua shtatë herë për Oscar dhe e fitoi çmimin për rolin e këngëtarit të rënë nga fama në filmin Tender Mercies (1983). Ai u vlerësua gjithashtu për interpretimet në “Network”, “The Great Santini”, “Lonesome Dove” dhe “The Judge”.

Debutimin në ekran e bëri në vitin 1963 me adaptimin filmik të romanit To Kill a Mockingbird, duke nisur një rrugëtim që do ta kthente në një nga aktorët më ndikues të brezit të tij.

Me interpretimet e tij intensive dhe aftësinë për t’i dhënë thellësi çdo roli, Robert Duvall lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë e kinemasë botërore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu