
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndërmarrjen e një nisme ligjore pas pezullimit nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se çështja lidhet me parimin e ndarjes së pushteteve dhe jo me individin.
Në nisje të podcastit “Flasim”, Rama deklaroi se mosmarrja e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë në pah një boshllëk ligjor dhe institucional, i cili sipas tij kërkon përcaktim të qartë në legjislacion.
Kreu i qeverisë theksoi se gjykatat kanë të drejtë të vendosin masa sigurimi për çdo person nën hetim, por paralajmëroi se pezullimi i një ministri paralizon funksionin dhe prodhon praktikisht të njëjtin efekt me shkarkimin. Sipas Ramës, emërimi dhe shkarkimi i ministrave janë kompetenca ekskluzive të ekzekutivit dhe nuk mund t’i kalojnë pushtetit gjyqësor.
Ai shtoi se drejtësia duhet të mbetet e pavarur, por pa ndërhyrë në pavarësinë e pushteteve të tjera, si legjislativi dhe ekzekutivi.
Rama bëri të ditur se të hënën do të depozitohet një nismë ligjore për të adresuar boshllëkun e konstatuar. Sipas tij, iniciativa do të paraqitet në cilësinë e deputetit, në bashkëpunim me kreun e grupit parlamentar Taulant Balla dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Nisma do t’i dorëzohet fillimisht grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe procesi do të jetë transparent, me prezantimin që pritet të bëhet në prani të mediave.



