
Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten në mbrëmje, gjatë një seance të jashtëzakonshme, rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk morën pjesë në votim.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, LDK sqaroi se Kuvendi ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm për drejtësinë, jo përmes rezolutave që i cilëson të pjesshme dhe selektive.
Sipas kësaj force politike, mbështetja për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare, është një vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euro-atlantik të Kosovës. Megjithatë, LDK thekson se drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar.
Deputetët e saj kishin kërkuar që rezoluta të përfshinte qartë edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike, duke e cilësuar këtë një borxh ndaj viktimave, shoqërisë dhe vetë shtetit.
Sipas njoftimit, refuzimi për të përfshirë këtë kërkesë e bëri rezolutën të paplotë dhe me mesazh të mangët. “Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë”, thuhet më tej në reagim, duke shtuar se partia do të vijojë të kërkojë drejtësi për të gjitha viktimat, procese të paanshme dhe një shtet që përballet me të vërtetën.



