
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me një nga specialistët e fushës së toksikologjisë në vend, duke vënë theksin te nevoja për forcimin e strukturave shëndetësore që lidhen me lëndët e rrezikshme dhe varësinë nga drogat.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla bëri me dije se u takua me doktor Andrin Tahirin, shef i Shërbimit të Toksikologjisë në QSUNT.
Ndryshime ligjore dhe hapa të rinj
Sipas Ballës, takimi vjen menjëherë pasi Kuvendi miratoi javën e kaluar ndryshime ligjore për lëndët psikotrope, të cilat synojnë rritjen e kontrollit dhe sigurisë.
Ai theksoi se një hap i rëndësishëm është ngritja e një Qendre Kombëtare të Kontrollit të Helmeve, që do të shërbejë për menaxhimin më efektiv të rasteve të ekspozimit ndaj substancave të rrezikshme.
Fokus edhe te rehabilitimi
Një tjetër prioritet, sipas Ballës, mbetet krijimi i një qendre rehabilitimi për personat që vuajnë nga varësia ndaj drogave, me synimin për të ofruar trajtim dhe mbështetje të specializuar.
Nisma shihet si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar reagimin institucional ndaj problemeve që lidhen me substancat psikotrope dhe pasojat e tyre në shëndetin publik.






