Mbreti Charles ka ndërhyrë për herë të parë publikisht në skandalin që lidhet me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, duke deklaruar se Buckingham Palace është i gatshëm të bashkëpunojë me policinë lidhur me pretendimet ndaj vëllait të tij, Andrew Mountbatten-Windsor.

Në një deklaratë zyrtare, një zëdhënës i Pallatit theksoi se monarku ka shprehur “shqetësim të thellë” për akuzat që vazhdojnë të dalin në dritë mbi sjelljen e Andrew-t. “Ndërsa pretendimet konkrete i takon vetë Mountbatten-Windsor t’i adresojë, nëse Thames Valley Police na kontakton, jemi të gatshëm t’i mbështesim,” thuhet në reagim.

Policia konfirmoi se po shqyrton nëse ka baza për hetim pas një kallëzimi nga grupi anti-monarki Republic, i cili e ka raportuar Andrew-n për dyshime mbi shpërdorim detyre dhe shkelje të sekretit zyrtar.

Email-et e publikuara së fundmi nga dosjet e Epstein duket se tregojnë se ish-princi ka ndarë informacione konfidenciale mbi vizita zyrtare në Singapor, Hong Kong dhe Vietnam, si edhe detaje investimesh, të cilat sipas rregullave duhet të mbeteshin sekrete.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se mendimet dhe solidariteti i Mbretit dhe Mbretëreshës “mbeten me viktimat e çdo forme abuzimi”.

Presioni ndaj Andrew është rritur pas publikimit të miliona dokumenteve të reja që lidhen me Epstein, ndërsa pretendimet përfshijnë edhe dërgimin e një gruaje të dytë në Mbretërinë e Bashkuar për një takim seksual me të. Andrew i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat dhe thekson se përmendja e tij në dosje nuk përbën provë për shkelje.

Vitin e kaluar, pas një vale të mëparshme zbulimesh, atij iu hoqën titujt mbretërorë, ndërsa së fundmi u zhvendos nga rezidenca Royal Lodge në pronën private të Mbretit në Sandringham.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu