
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla shprehu mbështetjen për projektligjin “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë” gjatë fjalës së tij në Komisionin për Politikën e Jashtme, duke theksuar rëndësinë e forcimit të diplomacisë shqiptare në një moment kyç për vendin.
“Edhe si kryetar i grupit të shumicës dua të shpreh mbështetjen tonë për t’u votuar ky projektligj, me shpresën dhe pritshmërinë që të ndikojë pozitivisht në forcimin e mëtejshëm të shërbimit tonë diplomatik,” u shpreh Balla.
Ai nënvizoi se Shqipëria ndodhet në një pozicion të ri në arenën ndërkombëtare, rezultat i arritjeve të viteve të fundit.
Po të kemi parasysh sfidat që kemi përpara, jo vetëm pritshmërinë tonë, tanimë jo thjesht një ëndërr, por një realitet i prekshëm për ta parë flamurin e Skënderbeut të valëvitet në oborrin e Brukselit deri më 28 nëntor të 2030-ës, por edhe sfidat e tjera që vijnë, përfshirë këtu edhe sfida të reja të krijuara edhe si një vend firmëtar tanimë i Bordit të Paqes, por edhe samiti i vitit të ardhshëm i NATO-s në Shqipëri, që është një kurorëzim i një pune intensive ku padyshim kanë vlerë të gjithë ata që kanë kontribuar në Ministrinë e Jashtme,” tha ai.
Duke u ndalur te projektligji, Balla tha se ndryshimet ligjore duhet të shoqërohen me zbatim cilësor.
“Ligji sjell risi, sjell ndryshime dhe nganjëherë ligjet mund të jenë shumë të mira, por e rëndësishme është cilësia e zbatimit. Kështu që kam besim shumë që do të zbatohet ky ligj nga ana juaj dhe nga ana e drejtuesve të tjerë të ministrisë, me rigorozitetin dhe me dëshirën për t’i dhënë Shqipërisë sonë europiane një trup diplomatik të standardeve evropiane.,” përfundoi Balla.






