Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka bërë një thirrje publike për pjesëmarrje në marshin e paralajmëruar më 17 shkurt në Prishtinë, ndërsa në Hagë ka hyrë në fazën përfundimtare procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shpërndau posterin e tubimit me mesazhin “Drejtësi, jo politikë”, duke ftuar qytetarët të mblidhen në Sheshin “Skënderbeu”, në orën 14:00. Në materialin promovues shfaqet edhe slogani “Liria ka emër”, i shoqëruar me simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thirrja vjen pasi Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin prej ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Marshi pritet të mbahet në Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe, sipas organizatorëve, synon të kërkojë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe të kundërshtojë politizimin e procesit gjyqësor.

Tubimi organizohet nga platforma “Liria ka Emër”, e cila u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës përpara deklaratave përfundimtare në Hagë, me qëllim – siç thuhet – të dëshmohet për historinë e Kosovës dhe sakrificën e ish-drejtuesve të UÇK-së.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu