Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me atë që ai e cilëson si ndërhyrje të kryeministrit Edi Rama në një hetim aktiv ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas Bardhit, ndryshimi i ligjit në kohën kur po hetohet një bashkëpunëtore e afërt e kryeministrit nuk ka të bëjë me mbrojtjen e parimeve kushtetuese, por me mbrojtjen e pushtetit. “Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar veten,” thekson ai.

Deputeti demokrat argumenton se bashkimi i qeverisë dhe Kuvendit për të kundërshtuar vendimet e dy gjykatave përbën presion ndaj drejtësisë dhe cenon ndarjen e pushteteve. “Kjo nuk është ndarje pushtetesh, por presion i organizuar kundër drejtësisë,” shprehet Bardhi.

Ai shton se mesazhi se “nuk ka urgjencë” për kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut nënkupton, sipas tij, një përpjekje për të fituar kohë. Bardhi thekson se pezullimi nga funksioni publik është i parashikuar në Kodin e Procedurës Penale dhe mund të zbatohet për çdo funksionar, pavarësisht postit që mban.

Sipas tij, pezullimi synon të mbrojë procesin penal dhe institucionin, ndërsa arresti kërkohet kur ekziston rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët apo provat. “T’i ngatërrosh këto masa është deformim i së vërtetës me qëllim pengimin e drejtësisë,” deklaron Bardhi.

Në fund, ai i bën thirrje Këshillit të Mandateve të mblidhet pa vonesa dhe pa “manovra politike”, duke theksuar se kryetarja e Kuvendit duhet të zgjedhë “ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu