Policia e Vlorës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një nga autorët e dyshuar të dhunimit të avokatit Kujtim Cakrani, mbrojtës ligjor i ish-presidentit Ilir Meta. Në kërkim është shpallur shtetasi Skerdilajd Xhindi, 40 vjeç, i akuzuar për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Sipas njoftimit zyrtar, identifikimi u bë pas punës intensive të specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë. Autoritetet po vijojnë operacionin për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa në drejtimin e Prokurorisë vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përfshirjen e personave të tjerë në ngjarje.

Avokati Cakrani u sulmua mesditën e së dielës në ambientet e një karburanti në rrugën Transballkanike. Sipas policisë, ai u godit pas koke me mjet prerës, duke pësuar dëmtime serioze dhe një frakturë në pjesën e pasme të kokës. Fillimisht u transportua në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku vijon të marrë trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga të dhënat paraprake, konflikti dyshohet se nisi për shkak të mënyrës së parkimit të automjetit, por vetë avokati ka deklaruar se nuk beson se ky ishte shkaku i vërtetë i sulmit. Ai ka pohuar se u provokua verbalisht nga dy persona të panjohur dhe më pas u godit papritur nga njëri prej tyre.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta publike, ndërsa autoritetet theksojnë se po punojnë për të çuar para drejtësisë të gjithë përgjegjësit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu