Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar se ka zvarritur për dy muaj vendimin që lidhet me zv/kryeministren Belinda Balluku. Sipas tij, zhvillimi i katër seancave për një çështje të vetme ka krijuar hapësirë për manipulim dokumentesh.

Berisha deklaroi se gjatë kësaj periudhe Balluku “ka fabrikuar dhe grisur dokumente”, duke shtuar se kjo situatë, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me mbështetjen politike që ajo gëzon.

“Kurse Lubia dhe këta gjykatës, direkt në Gjykatë Kushtetuese, e mbajtën dy muaj aty, ajo dy muaj me një ushtri të tërë duke fabrikuar, duke falsifikuar dhe grisur dokumente. Pse kjo? Vetëm e vetëm se ajo është Edi Rama”, u shpreh Berisha.

Ai përdori tone edhe më të forta ndaj zv/kryeministres, duke deklaruar:

“Më hajdute se ajo nuk ka njeri. Por ajo është Edi Rama.”

Gjatë deklaratës së tij, Berisha foli edhe për atë që e cilësoi si “degradim ekstrem të administratës”, duke akuzuar drejtues vendorë dhe zyrtarë për abuzime me fondet publike dhe lidhje me afera korruptive.

Sipas kreut të demokratëve, procedurat gjyqësore nuk janë respektuar, pasi çdo qytetar – tha ai – duhet të ndjekë shkallët e gjykimit nga Apeli deri në Gjykatën e Lartë, përpara se çështja të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike, teksa përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës për drejtësinë dhe korrupsionin vijojnë të dominojnë debatin publik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu