
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me ndërtimin e aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë. Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se kompania që ka ndërtuar rrugën është e njëjta që, sipas tij, i ka dhuruar familjes Rama një “pallat në pajë”, duke e cilësuar këtë si një “dëshmi flagrante” të lidhjeve korruptive.
Ai u shpreh se rruga po përballet me shembje të njëpasnjëshme edhe pa u marrë ende në dorëzim, ndërsa paralajmëroi se do të publikojë të tjera denoncime për atë që e quajti shpërblim të ndërtuesve të vilës në Surrel. Sipas Berishës, këto zhvillime tregojnë se kryeministri nuk do të pranojë heqjen e imunitetit për zyrtarë të lartë, pasi një veprim i tillë do të rrezikonte edhe vetë atë.
Në deklaratën e tij, lideri demokrat u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë, duke theksuar se “fjala është e qytetarëve” dhe se protesta e paralajmëruar më 10 shkurt do të jetë, sipas tij, “triumfi i qytetarëve shqiptarë”. Berisha kritikoi gjithashtu sistemin e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese, duke i akuzuar për degradim dhe mungesë integriteti.






