
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga stërvitja intensive e efektivëve të Forcës Ajrore shqiptare me helikopterët Sikorsky UH-60 Black Hawk, duke vlerësuar nivelin e përgatitjes së trupave.
Përmes postimit të tij, kreu i qeverisë e cilësoi stërvitjen si një tregues të profesionalizmit të forcave.
“Energjia e stërvitjes së ushtarëve të helikopterëve Black Hawk”, shkroi Rama.
Në videot e shpërndara, helikopterët e teknologjisë së avancuar shfaqen të angazhuar në skenarë të ndryshëm, nga operacionet komplekse ushtarake deri te menaxhimi i emergjencave civile. Një fokus i veçantë i është kushtuar misioneve të kërkim-shpëtimit, që konsiderohen një kapacitet jetik për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Sipas të dhënave, këto mjete nuk po zhvillojnë vetëm stërvitje rutinë, por po trajnohen për një gamë të gjerë misionesh, përfshirë transportin taktik të trupave dhe evakuimet mjekësore të specializuara (MEDEVAC) në raste fatkeqësish natyrore apo situatash emergjente.
Helikopterët Black Hawk janë pjesë e procesit të modernizimit të flotës ajrore shqiptare, duke rritur ndjeshëm kapacitetet operacionale të vendit si anëtar i NATO.



