
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd–Korçë, konkretisht në fshatin Dragostunjë, për shkak të punimeve që do të kryhen në këtë segment.
Sipas njoftimit zyrtar, bllokimi do të zbatohet nga data 3 shkurt deri më 5 shkurt 2026, gjatë intervalit kohor 22:00–05:00. Gjatë këtyre orëve, aksi do të jetë i pakalueshëm për automjetet, veçanërisht për mjetet e tonazhit të rëndë.
Autoriteti bën me dije se pikat e kalimit kufitar janë njoftuar për të informuar drejtuesit e mjeteve për këtë kufizim të përkohshëm të lëvizjes. Ndërkohë, gjatë bllokimit do të lejohen të qarkullojnë vetëm autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe automjetet e Policisë.
Për mjetet e vogla është rekomanduar përdorimi i rrugës alternative “Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh”, si në drejtim të Tiranës ashtu edhe në kahun e kundërt.
Shërbimet e Policisë dhe kontraktorët e rrugës do të jenë në terren për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë rrugore, ndërsa drejtuesve të mjeteve u kërkohet mirëkuptim, respektim i sinjalistikës dhe shmangie e lëvizjeve të panevojshme gjatë orareve të bllokimit.



