Qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor që lidh Tuneli i Llogarasë me Dhërmi dhe Himarë është bllokuar përkohësisht këtë të martë, duke krijuar vështirësi për banorët dhe drejtuesit e mjeteve që lëvizin drejt zonës së Bregut.

Shkak për situatën është bërë procesi i punimeve për zgjerimin e rrugës në zonën e Palasës. Sipas raportimit të RTSH 24, firma kontraktore që po kryen punimet ka përdorur lëndë plasëse për të shkëputur një masiv shkëmbor, pjesë e projektit për hapjen e trasesë së re.

Si pasojë e shpërthimit me dinamit, një sasi e madhe inertesh dhe gurësh ka përfunduar në rrugën ekzistuese, duke e bërë atë për momentin të pakalueshme. Për rrjedhojë, lëvizja në këtë segment të rëndësishëm turistik dhe strategjik është paralizuar.

Situata po menaxhohet nga kompania private që po zbaton projektin. Mjetet e rënda ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e inerteve nga asfalti, me synimin për të rikthyer sa më shpejt normalitetin në qarkullim.

Deri në hapjen e plotë të aksit, drejtuesve të mjeteve u kërkohet durim dhe kujdes i shtuar gjatë lëvizjes në këtë segment.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu