Ministri Gogu iu përgjigj Sali Berishës nga foltorja e Kuvendit, duke kundërshtuar interpretimin e filozofes Hannah Arendt dhe duke theksuar se koncepti i saj lidhej me shtetarë që përdorën pushtetin absolut për të vrarë, jo me ligjvënës që miratojnë ligje për integrimin europian.

“I nderuar zotëri parafolës, jemi duke folur për lëndët psikotrope dhe barnat narkotike. Dhe në momentin që ju parashtroni një haluçinacion filozofik, mendoj që ne duhet të themi mbrapsht tek receta,” deklaroi ministri gjatë debatit parlamentar.

Ai shtoi se Arendt “kurrë nuk pati në mendje ligjvënës që çojnë vendin përpara në integrimin europian”, por shtetarë që “me pushtetin e tyre absolut vranë për të mbrojtur pushtetin e tyre”.

Sipas Gogut, referimi i opozitës te “banaliteti i së keqes” përbën “shembullin më të mahnitshëm të banalitetit të papërgjegjshmërisë”, duke nënvizuar se debatet filozofike nuk duhet të devijojnë diskutimin nga çështje që lidhen me sigurinë dhe shëndetin publik.

Ministri komentoi edhe mbështetjen që, sipas tij, disa deputetë i dhanë deklaratave të opozitës, duke thënë se ndërprerja e mikrofonit për një minutë ishte një sinjal për të mos lejuar “haluçinacione politike dhe filozofike në mes të Europës”.

Në përfundim, ai theksoi pritshmërinë që opozita të përmbushë rolin e saj dhe vendi të ecë përpara drejt integrimit europian. “Është një kumt për të gjithë ata njerëz që presin që opozita të bëjë punën e saj dhe ta çojmë këtë vend përpara, së bashku t’i bashkohemi shumicës dhe të anëtarësohemi brenda afatit që kemi marrë përsipër,” u shpreh ministri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu