
Humbja e aktores legjendare Catherine O’Hara ka sjellë reagime emocionale nga kolegë dhe fansa në mbarë botën. Një nga reagimet më prekëse erdhi nga aktori Macaulay Culkin, i njohur për rolin e Kevin në filmin kult Home Alone.
Culkin publikoi një mesazh në rrjetet sociale ku e quajti O’Hara “mama”, duke iu referuar rolit të saj si Kate McCallister në dy filmat e parë të sagës.
“Mama. Mendova se do të kishim më shumë kohë. Doja më shumë. Doja të ulesha pranë teje. Të dëgjova, por kishte kaq shumë më tepër për të thënë. Të dua. Do të shihemi sërish.”
View this post on Instagram
Një rol që shënoi karrierën
Roli i Kate McCallister në Home Alone ishte një nga interpretimet më të dashura të karrierës së O’Hara, duke e bërë atë ikonë për breza të tërë shikuesish.
Karriera e saj njohu një tjetër kulm me rolin e Moira Rose në serialin Schitt’s Creek, ku fitoi çmime prestigjioze si Emmy dhe Golden Globe.
Detaji pak i njohur për shëndetin
Pas ndarjes nga jeta të aktores, mediat ndërkombëtare rikujtuan edhe një aspekt pak të njohur të shëndetit të saj. O’Hara kishte lindur me një gjendje të rrallë gjenetike të quajtur Situs Inversus, ku organet e brendshme janë të vendosura në mënyrë të përmbysur si pasqyrë.
Në rastin e saj, zemra ndodhej në anën e djathtë të kraharorit, gjendje e njohur si Dextrocardia. Sipas ekspertëve mjekësorë, kjo gjendje prek rreth 1 në 10 mijë persona dhe zakonisht nuk shkakton probleme serioze shëndetësore. Nuk ka prova që ajo të ketë lidhje me vdekjen e aktores.
Në një intervistë të mëparshme, O’Hara kishte folur me humor për këtë veçori, duke thënë:
“Jam një e çuditshme!”






