
Në seancën plenare të Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, mbajti një fjalim të ashpër ndaj mazhorancës, duke e akuzuar qeverinë për varfërim masiv të shqiptarëve, padrejtësi fiskale dhe shpërdorim të taksave.
Blushi e nisi fjalën me një rrëfim simbolik nga Malësia e Gjakovës, ku një malësor i dënuar me vdekje kishte deklaruar se dita më e vështirë e jetës së tij nuk ishte ajo para pushkatimit, por dita kur nuk kishte mundur t’u shtrojë bukë fëmijëve. Sipas tij, kjo është pikërisht Shqipëria ku ka sjellë vendin mazhoranca.
Ai theksoi se numri i të varfërve po rritet çdo ditë dhe se drama e prindërve që nuk arrijnë të ushqejnë fëmijët e tyre është kthyer në realitet për shumicën e shqiptarëve. Duke iu referuar debatit për Aktin Normativ, Blushi ngriti pyetjen kryesore: “Kujt po ia mbledhim taksat dhe si po i shpërndajmë ato?”, duke shtuar se taksat mblidhen nga populli më i varfër i kontinentit dhe përfundojnë te njerëzit më të pasur.
Sipas tij, një qeveri që takson me 20% ushqimet bazë – bukën, qumështin, vezën – dhe i takson me 0% oligarkët dhe investitorët strategjikë, nuk mund të quhet as e drejtë dhe as sociale. Ai solli shembuj konkretë pensionistësh nga Korça dhe Tirana, që jetojnë me pensione minimale, duke pyetur nëse shifrat dhe përqindjet e përmendura nga qeveria përkthehen realisht në ushqim dhe mirëqenie.
Blushi akuzoi mazhorancën se në vitin 2026 nuk garanton as ujë të pijshëm për qytetarët dhe përmendi situatën në Vlorë, ndërsa foli me tone të rënda edhe për shëndetësinë, duke deklaruar se spitali Onkologjik është kthyer në “agjenci funerale”.
Në vijim, ai hodhi poshtë akuzat për dhunë në protestat e fundit, duke ironizuar se qytetarët nuk kishin as vezë apo domate për të protestuar, pasi çmimet janë bërë të papërballueshme për pensionistët. Sipas Blushit, qeveria ka vjedhur edhe bukën e jetimëve dhe ka detyruar fermerët shqiptarë të blejnë produkte bujqësore nga Greqia, ndërsa fondet e IPARD-it janë grabitur.
Ai u ndal edhe te ligji për lëndët psikotrope, duke përdorur tone ironike dhe sfiduese ndaj mazhorancës, ndërsa 24 janarin e cilësoi si ditë simbol të qeverisjes, me fishekzjarre për negociatat dhe flakë molotovi për qytetarët.
Në përfundim, Blushi paralajmëroi se përmbysja e qeverisë do të vijë nga protesta e të varfërve dhe kërkoi llogari për premtimet e pambajtura për rritjen e pensioneve. “Luksi juaj është irritues për një vend ku dinjiteti i çdo shqiptari vlen më pak se sa shpenzoni në kafen e Parlamentit”, u shpreh ai.



