
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga Partia Demokratike përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit, duke e cilësuar atë si një akt dhune dhe degjenerimi politik.
Në një postim në rrjetin social “X”, Rama shkruan se Partia Demokratike, sipas tij, është e vetmja forcë parlamentare në Europë që ka përfshirë ushtrimin e dhunës dhe shkatërrimin e pronës në aktivitetin e saj politik.
Sipas kryeministrit, aktet e dhunës gjatë protestave të PD-së kryhen nga persona të maskuar, të cilët i cilëson si mercenarë të rekrutuar me para, me qëllim shmangien e identifikimit nga kamerat e sigurisë.
Teksa u ka uruar shërim të shpejtë punonjësve të Policisë së Shtetit të lënduar gjatë protestës, Rama e ka cilësuar situatën si një përshkallëzim të pandalshëm të dhunës politike.
“Protestat e organizuara nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, janë një degjenerim i pandalshëm dhe një dëshpërim i pangushëllueshëm”, shkruan Rama.
Në reagimin e tij, kryeministri përdor edhe një gjuhë të ashpër metaforike, duke deklaruar se këto protesta “ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon”.
Reagimi i plotë i Edi Ramës
“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…
Por qysh nga koha e partive famëkëqija të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë që ka ushtrimin e dhunës si pjesë të pandarë të ekzistencës së saj.
Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!
Të shkuara punonjësve të Policisë që u plagosën dhe u lënduan nga kjo lukuni e verbër.”



