
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikthyer kritikat dhe provokimet ndaj NATO-s, duke hedhur idenë e aktivizimit të nenit 5 të Aleancës për mbrojtjen e kufirit jugor amerikan.
Deklarata u bë gjatë kthimit të tij nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, përmes një postimi në platformën Truth Social, ku Trump shkroi se SHBA-ja mund të thërrasë nenin 5 për të detyruar aleatët e NATO-s të ndërhyjnë kundër asaj që ai e cilësoi si “pushtime të mëtejshme të emigrantëve ilegalë” në kufirin jugor.
Sipas Trump, një veprim i tillë do të mundësonte lirimin e një numri të madh agjentësh të patrullës kufitare, të cilët do të angazhoheshin në detyra të tjera të sigurisë kombëtare.
Megjithatë, neni 5 i Traktatit të NATO-s parashikon mbrojtje kolektive vetëm në rast sulmi të armatosur ndaj një vendi anëtar, dhe historikisht është aplikuar për kërcënime ushtarake, jo për çështje që lidhen me migracionin apo sigurinë kufitare.
Tensione edhe me Kanadanë
Paralelisht me këtë deklaratë, Trump ka ndërmarrë edhe një tjetër hap që pritet të thellojë tensionet diplomatike me Kanadanë. Presidenti amerikan ka tërhequr ftesën drejtuar kryeministrit kanadez Mark Carney për të marrë pjesë në të ashtuquajturin “Board of Peace”, një strukturë e re e propozuar nga Shtëpia e Bardhë.
Ky vendim vjen në një moment delikat të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shton pasigurinë rreth rolit dhe qëllimit të këtij forumi të ri ndërkombëtar.






