
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar investimet amerikane në jug të Shqipërisë të lidhura me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, duke deklaruar se opozita i mbështet investimet amerikane, por akuzoi Kryeministrin Edi Rama për përdorim politik të tyre.
Në një deklaratë jashtë Parlamentit, Berisha tha se Rama tentoi ta shfrytëzonte politikisht projektin, por sipas tij, përpjekja ka dështuar.
“Ne i mbështesim investimet amerikane, por natyrisht ky e bëri atë për influencë politike. Jam i sigurt që dështoi”, u shpreh Berisha.
Ai u ndal veçanërisht te projekti në ishullin e Sazanit, duke theksuar se ky ishull është ofruar për zhvillim edhe nga qeveritë e mëparshme, përfshirë atë që ai ka drejtuar vetë.
“Sazanin e ka ofruar Fatos Nano. E kam ofruar edhe unë. Ia ofrova mikut të shquar të kombit shqiptar, Silvio Berluskoni”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, projekti i Berluskonit ishte pranuar dhe ishte përgatitur një plan zhvillimi, por nuk u realizua për shkak të krizës financiare globale.
“Bëri një projekt shumë të mirë, por erdhi kriza financiare. Aty janë dokumentet”, tha Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se Sazani nuk ishte një zonë e lehtë për t’u zhvilluar dhe se interesimi i sotëm lidhet me kapacitetet e mëdha financiare të fondeve aktuale.
“Tani fondet janë shumë të mëdha. Sipas asaj që kam dëgjuar, janë rreth dy miliardë euro nga fondi sovran arab. Në qoftë se bëhet, unë nuk kam asnjë kundërshtim”, u shpreh ai.
Duke folur për Zvërnecin, Berisha tha se bëhet fjalë për një çështje private dhe se nuk ka dijeni që aty të jetë dhënë tokë publike, por shtoi se kjo do të verifikohet.
Në vijim, Berisha akuzoi Kryeministrin Rama se ka vonuar qëllimisht firmosjen e marrëveshjes për Sazanin, për ta përdorur politikisht.
“Në qoftë se marrëveshja ishte që të firmosej para zgjedhjes së Presidentit Trump, ky mashtroi. Nuk e firmosi para zgjedhjeve dhe u përpoq deri në fund ta përdorë për të paktën edhe një fotografi”, deklaroi Berisha.
Në përfundim, ai theksoi se Partia Demokratike nuk ka asnjë kundërshtim ndaj investimeve strategjike në Shqipëri, për sa kohë ato realizohen pa influencë politike dhe me transparencë të plotë.



